Një aksion policor është zhvilluar nga policia për një rast që ndërlidhet me falsifikim të dokumenteve, legalizim të përmbajtjes së rreme, mashtrim e armëmbajtje pa leje.
Sipas njoftimit të policisë, një person është arrestuar më 01.11.2025, pasi që i njëjti dyshohet se gjatë periudhës 2021-2024, ka kryer vepra penale duke përfshirë dyshime se janë falsifikuar dokumente, lidhur me pronat e përfshira që kanë qenë nën menagjimin e AKP-së.
Tutje sipas njoftimit të policisë, këto prona i dyshuari në bashkëkryerje me persona tjerë kanë arritur që t’i falsifikojnë dokumentet që në procedura për bartje dhe legalizim i kanë bartur nga prona shtetërore në pronësi private.
E pasi i kanë bartur këto prona në pronësi private, policia ka njoftuar se të njëjtit pastaj i kanë shitur duke mashtruar blerësit dhe nga këto para kanë përfituar shuma të mëdha financiare.
Gjithashtu pas arrestimit, policia ka njoftuar edhe se ka bastisur disa objekte.“Janë bërë kontrolla në një shtëpi, tri banesa dhe dy garazha ku janë konfiskuar dokumente të ndryshme që kanë lidhje me falsifikime si dhe pajisje që janë përdorë për falsifikimin e dokumenteve”- thuhet në njoftimin e policisë në raportin policor të datës 02.11.2025.
Gjatë operacionit policor është konfiskuar një pistoletë me 103 fishek, një telefon celular, një orë dore rolex dhe një zingjir dore rolex.
I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.







