Aksident i rëndë zinxhiror nga mjegulla, 10 të vdekur e 48 të plagosur

Një aksident i rëndë zinxhiror, ku janë përfshirë dhjetëra automjete, ka ndodhur mëngjesin e së martës në autostradën “Trakia” në Bullgari. Si pasojë e përplasjes masive, të paktën 10 persona kanë humbur jetën dhe 48 të tjerë janë plagosur. Shkak i dyshuar i aksidentit është mjegulla e dendur, e cila ka vështirësuar ndjeshëm dukshmërinë në rrugë.
Aksidenti është regjistruar rreth orës 07:00, pranë nyjës së Zimnicës, në kilometrin e 290-të të autostradës. Për shkak të përmasave të aksidentit, qarkullimi është ndërprerë plotësisht në të dyja drejtimet.
Reklamë

Ngjarja ka shkaktuar reagime edhe në nivel shtetëror. Qeveria bullgare ka anuluar mbledhjen e planifikuar, ndërsa presidenti Rumen Radev ka anuluar vizitën dhe aktivitetet e tij në qytetin e Varnës.
Diana Rusinova, kryetare e Qendrës Evropiane për Politikën e Transportit, e ka cilësuar ngjarjen si një nga aksidentet më të rënda të viteve të fundit në Bullgari.
“Ky është një aksident jashtëzakonisht i rëndë. Nuk mbaj mend ndonjë ngjarje të ngjashme në Bullgari gjatë viteve të fundit”, është shprehur ajo.

Sipas informacioneve nga terreni, në aksident është përfshirë edhe një autobot që transportonte propan-butan, duke shtuar rrezikun për shpërthim. Kushtet atmosferike në momentin e përplasjes ishin tejet të pafavorshme, me asfalt të lagësht dhe mjegull të dendur, që kishte reduktuar dukshmërinë në minimum. Raportohet se në mesin e personave të bllokuar në automjete ka edhe fëmijë.
Në vendin e ngjarjes janë angazhuar ekipe të shumta të emergjencës nga Jamboli, Sliveni dhe Burgasi, si dhe 14 ekipe zjarrfikëse. Në operacionet e menaxhimit të situatës dhe pastrimit të autostradës janë përfshirë edhe më shumë se 20 ushtarë.

Helikopterët mjekësorë janë vënë në gatishmëri për ndërhyrje, por mjegulla e dendur ka penguar afrimin e tyre të menjëhershëm në zonën e aksidentit.
Ndërkohë, në spitalin e Slivenit janë pranuar deri më tani tetë persona të lënduar, të cilët po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Reklamë







