Mbrojtësi i Zvicrës, Manuel Akanji, doli sot para mediave në prag të ndeshjes kualifikuese për Botërorin 2026 kundër Kosovës, ku foli për sfidën e radhës dhe për vendimin e Leon Avdullahut që të përfaqësojë Kosovën.
Akanji, i cili iu bashkua kombëtares helvetike të hënën, në atë kohë ende zyrtarisht lojtar i Manchester Cityt, theksoi se nuk ka pasur asnjëherë dyshime për zgjedhjen e tij për Zvicrën.
Duke komentuar për Avdullahun, mesfushorin e ri që zgjodhi Kosovën, Akanji u shpreh:
“Është vendimi i tij. Ne kemi një ekip shumë të fortë këtu. Nëse ai dëshiron të luajë për Kosovën, është zgjedhja e tij dhe duhet ta respektojmë. Për mua, është nder dhe krenari të luaj për Zvicrën.”
Sa i përket ndeshjes së së premtes, mbrojtësi i Interit paralajmëroi se skuadra e Kosovës nuk është aspak e lehtë si kundërshtar:
“Në kualifikueset e Europianit nuk patën fat, pësuan gola të vonshëm, por janë ekip agresiv dhe i fortë. Ne do të synojmë fitoren dhe duhet të jemi gati që nga minuta e parë.”
Zvicra dhe Kosova do të përballen të premten në një duel të rëndësishëm për ecurinë e tyre në Grupin e kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.