Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, janë shprehur të tronditur me sulmin ndaj ekipit të portalit Nacionale, gazetarit Vullnet Krasniqi dhe kameramanit, Arbër Latifi në protestën e organizuar në Prizren.
Krasniqi dhe Latifi ishin atje për të raportuar për protestën e thirrur nga imamët lokalë kundër festivalit “Dokufest”.
Sipas raportimeve të medies, ata janë sulmuar dhe shtyrë fizikisht nga një pjesë e turmës protestuese derisa po kryenin punën e tyre.
“Ky është një sulm i papranueshëm dhe kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve”- janë shprehur AGK.
Asociacioni i Gazetarëve ka kërkuar nga Policia arrestimin e menjëhershëm të sulmuesve dhe përballjen e tyre të menjëhershme me drejtësinë.
Protesta është thirrur pas një performance javën e kaluar në kuadër të festivalit në përkrahje të komunitetit transgjinor, e cila nxiti reagime.
Një nga personat që shpërndarë thirrjen për protestë është edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës në Prizren, Besim Berisha.
Derisa, Dokufest ka deklaruar se koncerti i grupit “Peaches” nuk është mbajtur në hapjen zyrtare të festivalit dhe në të nuk ka pasur qasje askush pa biletë. Sipas tyre, eventi është mbajtur në hapësirën e mbyllur brenda parkut të Marashit, pas orës 1:30 të natës dhe vetëm për një audiencë mbi 18 vjet.