Agjencia Kadastrale e Kosovës (AKK) ka nisur muajin e informimit për transformimin digjital të sistemit kadastral, duke prezantuar edhe kampanjën e re informuese “KADASTRI DIGIT-ALL”, e cila do të shpalosë rrugëtimin e digjitalizimit të plotë të shërbimeve kadastrale në vend.
Pas pesë vitesh pune dhe përkushtimi të vazhdueshëm institucional, AKK bëhet institucioni i parë shtetëror në Kosovë me sistem 100% online, duke vendosur një standard të ri për shërbimet publike dhe administratën moderne.
Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Avni Ahmeti, tha se transformimi i sistemit kadastral shënon një moment të rëndësishëm për institucionet dhe për qytetarët e vendit.
“Shërbimet kadastrale kanë hyrë në një epokë të re, epokën e digjitalizimit të plotë. Digjitalizimi i Kadastrit nuk ka qenë thjesht një projekt teknologjik, por një reformë e thellë shtetërore, rezultat i një pune disavjeçare që sot na sjell më afër qytetarëve,” tha Ahmeti.
Në këtë kuadër është prezantuar edhe e-Kadastri, platforma digjitale që mundëson realizimin e të gjitha procedurave kadastrale në mënyrë elektronike.
Përmes sistemit e-Kadastri:
regjistrimi i të dhënave bëhet drejtpërdrejt nga noterët, përmbaruesit privatë, ndërmjetësuesit dhe gjeodetët e licencuar;
të dhënat dërgohen automatikisht në Regjistrin e të Drejtave Pronësore;
qytetarët nuk kanë më nevojë të lëvizin nga një zyrë në tjetrën;
eliminohen pritjet e gjata dhe reduktohet burokracia;
rritet transparenca dhe forcohet siguria juridike mbi pronën.
Sipas Ahmetit, ky transformim ka ndikuar drejtpërdrejt në forcimin e besimit në institucion dhe në përmirësimin e klimës për zhvillim ekonomik dhe investime.
“Me këto shërbime kemi forcuar besimin në institucion, kemi rritur sigurinë në pronë dhe kemi krijuar një bazë më të fortë për zhvillim ekonomik dhe investime. Ky është një hap i madh për çdo biznes që kërkon procedura të shpejta dhe të qarta, si dhe për çdo qytetar që meriton shërbim dinjitoz, transparent dhe efikas,” theksoi ai.
Kampanja “KADASTRI DIGIT-ALL” synon të informojë publikun për transformimin e plotë të sistemit kadastral dhe për mundësitë që ofron digjitalizimi i shërbimeve.
Emri i kampanjës simbolizon pikërisht këtë transformim të plotë: çdo proces, çdo aplikim, çdo regjistrim dhe çdo ndërveprim me sistemin kadastral tashmë zhvillohet në një realitet tërësisht digjital, duke lidhur në një sistem unik noterët, gjeodetët, bizneset dhe qytetarët.
“Ky transformim është dëshmi se kur ka vizion, përkushtim dhe punë të vazhdueshme, ndryshimi i madh bëhet realitet. Ne do të vazhdojmë të punojmë që administrata publike të jetë gjithnjë e më afër qytetarit, më efikase dhe më transparente,” përfundoi Ahmeti.
Me këtë reformë, Agjencia Kadastrale e Kosovës vendos një standard të ri në administratën publike dhe e pozicionon Kosovën në hartën e transformimit digjital të shërbimeve publike.






