Kalo te përmbajtja
Të fundit

Aeroporti “Adem Jashari” organizon konferencë për gjendjen e punëtorëve

Nga Gazetar i verifikuar i ATV

Shto ATV në Google(hapet në dritare të re)

Ndaj

Ndani këtë artikull përmes

Ose kopjo linkun

Aeroporti “Adem Jashari” organizon konferencë për gjendjen e punëtorëve

Përgatiti: Pranvera Krasniqi     

Çdo vit, dhjetëra punëtorë vdesin në vendin e punës.

Reklamë

Ndërsa shumë të tjerë përballen me stres, presion dhe lodhje mendore.

Për këto probleme, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” organizoi konferencë në kuadër të Javës Evropiane për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë.

Në të morën pjesë përfaqësues institucionesh, inspektorë, mjekë dhe organizata të shoqërisë civile.

Nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet thanë se, sipas anketës së punës për vitin 2024, 30 përqind e punëtorëve ndihen të rraskapitur.

 “Krahas sigurisë fizike, duhet t’i kushtojmë vëmendje edhe shëndetit mendor. Stresi dhe pasiguria ndikojnë shumë. Një mjedis i sigurt në punë është obligim ligjor”, tha drejtoresha e Iniciativës Kosovare për Stabilitet, Brikena Hoxha.

Nga Ministria përgjegjëse thanë se po punojnë në ndryshimet ligjore dhe digjitalizimin e shërbimeve. Po ashtu, kanë shtuar 36 inspektorë të rinj.

“Siguria dhe shëndeti nuk kanë të bëjnë vetëm me kthimin e punëtorit në shtëpi në gjendje të mirë fizike, por edhe të qetë psikologjikisht”, tha Agon Dobruna, zëvendësministër i Punës, Familjes e Vlerave te Luftës Çlirimtare.

Rëndësinë e shëndetit mendor e theksoi edhe drejtori i aeroportit, ku puna zhvillohet ditën dhe natën.

“Stresi dhe presioni ndikojnë në performancën e punonjësve. Duam që ata të tregojnë kur nuk ndihen mirë, pa u paragjykuar. Për këtë duhet të punojmë të gjithë së bashku”, deklaroi Gökhan Açikgöz, drejtor ekzekutiv i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”

Gjatë diskutimit u kërkuan më shumë kontrolle, sidomos në sektorin privat.

“Sidomos në kompanitë private ka shumë sfida. Duhet më shumë kontrolle dhe fonde për ta mbuluar financiarisht këtë çështje”, tha drejtoresha e Programit dhe Hulumtimit, Iniciativa Kosovare për Stabilitet, Brikena Berisha.

Nga Ministria e Punës thanë se ka nisur vetëdijesimi për kontrollet shëndetësore, por nevojiten më shumë përpjekje për shëndetin mendor.

“Disa organizata janë fokusuar te kontrollet shëndetësore, por ende duhet punë për ta ngritur sistemin, sidomos sa i përket shëndetit mendor”, u shpreh Fatime Avdyli Rexhepi, udhëheqëse e Divizionit për Politikat e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë.

Ndërsa, nga mjekësia e punës paralajmëruan se stresi ndikon në gjumë, përqendrim dhe vendimmarrje, duke rritur rrezikun për aksidente.

“Kontrollet periodike nuk duhet të bazohen vetëm në analiza, por edhe në gjumë, lodhje dhe gjendje emocionale”, tha Myhydin Shehu, u.d. i shefit të Mjekësisë së Punës, Qendra Kombëtare e Mjekësisë së Punës, Gjakovë.

Pjesëmarrësit kërkuan bashkëpunim më të madh mes institucioneve dhe punëdhënësve për mbrojtjen e shëndetit fizik dhe mendor të punëtorëve.

Reklamë

Kolegji AAB – ne fund pas kutise ‘mos e humb as nje lajm’