Rektori i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Adrian Civici, në emisionin “Ekspres” në RTSH, vlerësoi se ekonomia shqiptare gjatë vitit 2024 ka ndjekur një trajektore të qëndrueshme, duke ruajtur stabilitetin dhe rritjen.
Ai tha se ekonomia nuk është ndikuar nga kriza të mëdha politike, gjeopolitike apo klimaterike, duke theksuar se ka përfituar nga stabilizimi pas pandemisë dhe luftës në Ukrainë.
“Ka qenë një ekonomi pak a shumë normale dhe e stabilizuar. Nuk ka qenë nën presionin e ndonjë krize madhore dhe ka ndjekur tendencat e viteve të fundit, që përfshijnë periudhën post-Covid dhe absorbimin e efekteve të luftës në Ukrainë mbi tregtinë dhe çmimet e energjisë”, tha Civici.
Ai vlerësoi se turizmi dhe ndërtimi mbeten sektorë kryesorë që nxisin rritjen ekonomike, duke shtuar se edhe konsumi gjithashtu ka luajtur një rol të rëndësishëm.
“Turizmi ka një efekt të madh në ekonominë shqiptare. Ndërtimi ka vazhduar me ritme të larta, dhe konsumi ka ndikuar në rritjen e prodhimit të brendshëm bruto, duke mbajtur rritjen ekonomike në nivelin 3.8% deri 3.9%”, shtoi ai.
Duke folur për pasojat e tërmetit dhe pandemisë, Civici tha se ekonomia shqiptare ka treguar rezistencë dhe është rikuperuar shpejt.
“Tre goditjet kryesore – tërmeti, pandemia dhe konfliktet gjeopolitike – kanë lënë pasoja, por ekonomia jonë arriti të rikuperohej dhe të ruante stabilitetin falë sektorëve si ndërtimi dhe turizmi”, vlerësoi rektori i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Adrian Civici.
Intervistën e plotë të Adrian Civicit në emisionin “Ekspres” në RTSH, e gjeni videon më poshtë: