Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka pritur sot në takim kryetarin e Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, me të cilin ka zhvilluar një diskutim të detajuar rreth projekteve zhvillimore në fushën e futbollit.
Në qendër të takimit ishte Kampi i të Rinjve në Obiliq, projekt i realizuar nga Federata e Futbollit e Kosovës, i cili përfaqëson një investim të rëndësishëm strategjik në zhvillimin e futbollit, me theks të veçantë te grupmoshat e reja. Ky kamp po shihet si një bazë e rëndësishme për identifikimin dhe përgatitjen e talenteve të së ardhmes.
Po ashtu, gjatë takimit u trajtuan edhe projektet tjera zhvillimore në territorin e Komunës së Obiliqit, me fokus në përmirësimin e infrastrukturës sportive, krijimin e kushteve më të mira për të rinjtë dhe rritjen e pjesëmarrjes së tyre në aktivitetet futbollistike.
Palët shprehën gatishmëri të ndërsjellë për bashkëpunim institucional dhe koordinim të vazhdueshëm, me synim avancimin e futbollit në Komunën e Obiliqit dhe vazhdimin e mbështetjes për projekte që kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e të rinjve dhe forcimin e strukturave sportive lokale.
Federata e Futbollit e Kosovës ka theksuar se investimet në infrastrukturë dhe në edukimin sportiv të të rinjve mbeten prioritet kyç për zhvillimin afatgjatë të futbollit në vend.






