Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka dhënë deklaratën e tij të parë pas shortit të hedhur në Cyrih, ku Kosova mësoi kundërshtarin e gjysmëfinales së “Play-Off”-it për kualifikim në Kupën e Botës 2026.
Dardanët do të përballen me Sllovakinë në Bratislavë në gjysmëfinale.
Ademi ka theksuar se çdo ndeshje në këtë fazë është si finale, duke pasur parasysh nivelin e ekipeve pjesëmarrëse, por ka shprehur optimizëm për suksesin e Kosovës.
“Të gjitha ndeshjet në këtë fazë janë si finale, sepse të gjitha ekipet janë të forta. Nuk e shohim si favorit, por nëse japim 100 përqindshin, mund të kalojmë këtë hap dhe të shkojmë deri te finalja, e cila do të luhet në Prishtinë me Turqinë apo Rumaninë”, tha Ademi.
Ai shtoi se me përkushtimin e plotë të futbollistëve dhe pa lëndime, Kosova mund të arrijë më të mirën.
Presidenti i FFK-së shprehu gjithashtu besimin se Dardanët do të kalojnë hapin e parë për të siguruar biletën për finalen e madhe, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” kundër fituesit të çiftit Turqi–Rumania.
“Besoj se hapin e parë do ta kalojmë”, theksoi Ademi.
Ndeshja kundër Sllovakisë do të zhvillohet më 26 mars 2026 në Bratislavë, ndërsa finalja eventuale më 31 mars 2026 në Prishtinë.







