Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku në një konferencë së bashku me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama ka folur lidhur për planet e LDK-së për kryeqytetin.
Abdixhiku përmes një postimi në Facebook së bashku me Ramën foli për planet për infrastrukturë, sport, kulturë, shëndetësi, energjetikë e arsim!
“Do t’i ndajmë plot 200 milionë euro, në katër vite, për mësimin gjithëditor në të gjithë Komunën e Prishtinës. Edhe 28 mijë fëmijë të tjerë, të klasave 1 deri në 5 do të përfitojnë nga kjo reformë. Shujta të ngrohta, klasë e shkolla moderne, digjitalizim e qëndrim 8 orë në Prishtinë!
Plot 120 milionë euro do të ndahen për Qendrën Kombëtare të Sportit në Bërnicë, në 60 hektarët tashmë të projektuar nga Komuna e Prishtinës. Në këtë Qendër do të vendoset Stadiumi Kombëtar me 25-30 mijë ulëse, Pallati i Sporteve me Dorë, Pisha Olimpike, Gaming Hall, Fusha e Tenisit, Fakulteti i Edukatës Fizike si dhe kompleksi i qëndrimit!”, tha ai.
Kryetari i LDK-së po ashtu tha se ngjitur me Qendrën Sportive, në 60 hektarë të tjerë, sipas planifikimit komunal, do të ndërtohet parku teknologjik, me Qendrën Kombëtare të Inteligjencës Artificiale të vendosur aty dhe sipas tij për këtë do të ndahen 45 milionë euro.
“Unaza e Jashtme e Kryeqytetit, në 29 kilometra gjatësi, do të mbështetet nga Qeveria Qendrore. Fillimisht duke ndarë garancionin për marrëveshjen tashmë të arritur mes Komunës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim – kredi e butë prej 206 milionë eurove – e më pas dhe duke siguruar në plotni të 154 milionë eurot e vlerësuara për shpronësimin e trasesë!
Mbi 100 milionë euro do të ndahen për Kulturë. Në bashkëpunim me Kryeqytetin, do të identifikohen lokacionet e duhura për ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar, Teatrit të Operas dhe Baletit, Muzeut të Artit Bashkëkohorë, e Muzeut të Paqes e Rezistencës. 100 milionë euro vetëm për kulturë!
Plot 120 milionë euro, tashmë të siguruara për projektin e kogjenerimit dhe dyfishimin e kapaciteteve aktuale të ngrohjes në Prishtinë, nëpërmjet Termokos. Ngrohje e lirë, më pak konsum energjetik, më shumë pastërti!”, tha ai.
Kryetari i LDK-së tutje ka folur edhe për Spitalin e Prishtinës.
“Spitali i ri i Kosovës, në një lokacion të ri, në Prishtinë. Plot 500 milionë euro për Spitalin e Ri, me 150 mijë metra katrorë të reja, 38 klinika të integruara në të – e pajisje të reja. Lokacioni i ri do të përcaktohet sipas nevojave të shtetit. Do të mbështesim po ashtu dhe ndërtimin e Spitalit të Kryeqytetit, një projekt i ndarë ky!”, tha ai.