PËRGATITI: DRITON SADIKU
Grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës sot mbajti një tryezë diskutimi me përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta, ku fokus ishte gjendja e veteranëve, veçanërisht tash pas mospërfshirjes së tyre në pagën minimale. Ata akuzuan qeverinë se nuk i ka përmbushur premtimet e dhëna, derisa thanë se si kategori janë lënë pas dore. Kësisoj zgjidhje, sipas tyre, mbetet që të jenë të bashkuar edhe në protesta.
Në vazhdën e diskutimeve për situatën politike në vend dhe një zgjidhje të mundshme për të dalë nga ajo, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës sot priti shoqatat e dala nga lufta.
Grupi parlamentar i AAK-së ishte i hapur që t’i dëgjojë hallet e përfaqësuesve të këtyre shoqatave, që më pas ato t’i përcjellin në Kuvend para deputetëve të tjerë.
Fokusi kryesor ishte gjendja e veteranëve, veçanërisht tash pas mospërfshirjes së tyre në pagën minimale.
Andaj një vendim i tillë nga ata që përfaqësojnë veteranët u cilësua edhe si tradhti ndaj atyre që ishin simbol i lirisë.
Përveç se veteranët nuk u përfshinë në pagën minimale, atyre thonë se nuk u dha asnjë e drejtë që ua garanton edhe ligji, që nga ardhja e kësaj qeverie.
Andaj, sipas tyre, krejt çka mbetet është që të vazhdojnë me protesta, pasi ndryshe nuk po dëgjohet zëri i tyre.
Në fund fare edhe morën zotimin e aleancës se brengat e tyre do t’i ngrenë në kuvend.
Ndryshe, kjo ishte tryeza e tretë e organizuar nga AAK-ja, pas asaj me sindikatat e punëtorëve të sektorit publik dhe përfaqësuesve të mediave.