Ajo që ka filluar po vazhdon. Problemet që e mundojnë Serbinë nuk po zgjidhen. Pushteti nuk ka një strategji të qartë për studentët. Është kapur në befasi dhe po vepron në mënyrë spontane, pa plan. Studentët, si çlirimtarë, dje marshuan nga të gjitha universitetet e Serbisë drejt Nishit, qytetit të tretë më të madh në vend, dhe e bllokuan atë për 18 orë. Nëpër rrugë ushtoi himni studentor, “Flaka në errësirë”.
Populli u zgjua. Dhjetëra mijëra qytetarë dolën për të mbështetur studentët dhe shpalljen e “Ediktit Studentor”. Në këtë mënyrë, ata hodhën poshtë në mënyrën më të qartë gënjeshtrat e Vuçiçit, i cili po atë ditë deklaroi se mbështetja për studentët po binte dhe se protestat po shndërroheshin në ekstremizëm. Askush nuk mund t’u vërë faj studentëve që kërkojnë një Serbi më të mirë – një sistem që vlerëson dijen dhe punën, e jo bindjen dhe heshtjen. Koha është që apatia t’i lërë vendin veprimit, që heshtja të zëvendësohet me luftën e zhurmshme për një të ardhme më të mirë.
Mjaft më me Vuçiçin dhe partinë e tij të djathtë, që kanë shtypur liritë demokratike dhe kanë ngritur një sistem kriminal, të mbështetur në korrupsionin vdekjeprurës. Çfarë është, në fakt, Edikti Studentor që u shpall dhe çfarë sjell ai, që qytetarët e vlerësuan me notën maksimale – dhjetë? Në këtë edikt, studentët kërkojnë liri dhe jo mëshirë. Kërkojnë një shtet që është pronë e përbashkët e të gjithë qytetarëve të tij. Kërkohet drejtësi, dinjitet, dije, solidaritet, rini dhe e ardhme.
Kërkohet dorëheqja jote, Vuçiç – por ti nuk e pranon. Në Nish, Vuçiç, ishin 246 mijë qytetarë në protestë, e jo 16 mijë sa i numërove ti në kokën tënde. Formo një qeveri kalimtare, përndryshe – siç tha një gjeneral – do të përballesh me luftë civile. Qeveria kalimtare duhet të shpallë zgjedhje në të gjitha nivelet, të ndryshojë ligjin zgjedhor dhe të shkarkojë menaxhmentin e RTS.
Studentët në Nish dërguan një mesazh të qartë për pakënaqësinë e popullit – e sa larg do të arrijë ky mesazh në Beograd më 15 mars, mbetet për t’u parë.
Kushti është që gjithçka të ndalojë – trenat, autobusët, punëtorët, sindikatat. Të ndalet i gjithë sistemi. Të mos paguhen faturat ndaj shtetit – ndaj kësaj oktapodi kriminal e të korruptuar. Opozita duhet të dalë nga bodrumi ku është mbyllur. Duhet bllokim total i institucioneve. Historia tashmë ka ndezur sinjalin e kthesës dhe ka nisur tejkalimin.