-3.6 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

A është në kundërshtim me marrëveshjet shpërbërja e Ekipit Menaxhues?

Kosova dhe Serbia sërish i interpretojnë ndryshe marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Kësaj radhe ka pasur një “konfuzion” lidhur me mandatin e Ekipit Menaxhues për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Më 3 maj, autoritetet kosovare e liruan nga detyra Ekipin Menaxhues, me arsyetimin se një ditë më parë në Bruksel e kishin paraqitur statutin dhe se i kishte përfunduar mandati.

Për këtë reaguan ashpër autoritetet nga Serbia, duke theksuar se mandati i Ekipit Menaxhues nuk përfundon me prezantimin e projekt-statutit të Asociacionit, por se ai ka një rol të rëndësishëm në vetë procesin e formimit të tij.

Pastaj erdhi interpretimi i Bashkimit Evropian, si lehtësues i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Nga BE-ja thanë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për shpërbërjen e Ekipit Menaxhues është në kundërshtim me marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha më 4 maj se Ekipi Menaxhues duhet të jetë funksional derisa të miratohet statuti për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Ekipi menaxhues propozoi dhe paraqiti draftin [statutin] e parë, që do të thotë se ka filluar procesin dhe jo se procesi ka përfunduar. Prandaj, vendimi për shpërbërjen e Ekipit Menaxhues bie ndesh me tekstin dhe frymën e marrëveshjes”, tha Stano.

Por, lidhur me deklaratat për shpërbërjen e Ekipit Menaxhues të zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, ka reaguar Qeveria e Kosovës. Në reagim thuhet se vendimi i Qeverisë së Kosovës për ekipin menaxhues, nuk është në kundërshtim me marrëveshjen.

“Nga deklarata e zëdhënësit të BE-së, vihet re se ka minimum të njohurisë për atë që po zhvillohet në procesin e dialogut, por maksimum gatishmërie në nxjerrjen e deklaratave kundër Kosovës. Gatishmërinë e njëjtë, duhet ta ketë kur ka shkelje aktuale të marrëveshjes, si për shembull vota kundër e Serbisë në Këshillin e Evropës, për të cilën po gjendet në vështirësi kur përgjigjet. Apo edhe për shkeljet e tjera që Serbia po ia bën marrëveshjes”, thuhet në reagim.

Sipas Qeverisë së Kosovës, “Ekipi Menaxhues e ka patur vetëm një mision apo detyrë – përgatitja dhe prezantimi i draftit të statutit. Pas këtij prezantimi, nuk ka më asnjë rol sepse diskutimi tashmë është politik”. /rel

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA