Studim i ri: Kafeja mund të ulë rrezikun e sëmundjeve të mëlçisë
Një studim i ri i zhvilluar në Mbretërinë e Bashkuar ka zbuluar se konsumimi i kafesë lidhet me një rrezik më të ulët të sëmundjeve të mëlçisë.
Sipas hulumtimit, të cilit i referohet AgroWeb.org, personat që pinë kafe kanë 21% më pak gjasa të zhvillojnë sëmundje të mëlçisë dhe 49% më pak rrezik për të vdekur nga sëmundjet kronike të saj.
Kafeja e bluar, më e dobishme
Rezultatet treguan se përfitimet ishin edhe më të larta tek ata që konsumonin kafe të bluar, pasi kjo lloj kafeje përmban më shumë përbërës mbrojtës kundër dëmtimeve të mëlçisë.
Sipas studiuesve, efektet mbrojtëse të kafesë mund të lidhen me vetitë e saj anti-inflamatore dhe anti-fibrotike, që ndihmojnë në mbrojtjen e qelizave të mëlçisë.
Ata shtojnë se kafeja mund të jetë një mënyrë e përballueshme dhe e thjeshtë për të ulur rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve të mëlçisë, megjithëse nevojiten më shumë kërkime për të kuptuar plotësisht mekanizmat e saj.
Kafeina dhe shëndeti i mëlçisë
Ky zbulim i ri mbështet studime të mëparshme që kanë treguar se kafeja ndihmon në uljen e rrezikut të cerozës, përmirëson sëmundjen e mëlçisë yndyrore, si dhe ndikon pozitivisht në uljen e vdekshmërisë nga sëmundjet e mëlçisë.
Gjithashtu, konsumi i rregullt i kafesë është lidhur me uljen e niveleve të enzimave të mëlçisë, të cilat shpesh sinjalizojnë inflamacion apo dëmtime.
Sa kafe duhet të pini?
Ekspertët rekomandojnë 1 deri në 2 filxhanë kafe të zezë në ditë.
Megjithatë, personat që vuajnë nga urthi ose problemet gastrointestinale duhet ta përshtatin sasinë sipas tolerancës së tyre.
Ata që kanë sëmundje të zemrës ose presion të lartë të gjakut këshillohen të kufizojnë konsumin nëse vërejnë se kafeja përkeqëson gjendjen e tyre.
Në përfundim, studimi sugjeron se një filxhan kafe në ditë mund të mos jetë vetëm një zakon i këndshëm, por edhe një mik i mirë për shëndetin e mëlçisë.







