Sot, në 8-vjetorin e vrasjes së Astrit Deharit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me pjesëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar, deputetë e aktivistë, fillimisht vizituan familjen Dehari e më pas bashkë me ta dhe shoqëri të gjerë bënë homazhe duke vendosur lule të freskëta te varri i Astrit Deharit.
Kryeministri, Albin Kurti, në prononcimin e tij për media tha se vrasja e Astrit Deharit vazhdon të jetë e rëndë për shkak të drejtësisë që mungon.
“Në këta 8 vjet kishim katër prokurorë që dolën në pension pa e kryer punën dhe tash e kemi prokurorin e pestë ndaj të cilit po ashtu shprehim interesimin, gatishmërinë dhe vullnetin ta ndihmojmë me krejt çfarë mundemi si lëvizje e si Qeveri e Kosovës, për ta sjellë drejtësinë e munguar’’, ka thënë Kurti.
Ndërsa, babai i Astrit Deharit theksoi se nëse gjyqësia dështon në këtë rast e në raste të ngjashme atëherë tregon se Kosova nuk e meriton një gjyqësi të tillë.
“Tetë vite, një njeri që ka humbur jetën në një institucion të Kosovës të mos zbardhet e vërteta, për të flet vet, sepse ata që kanë bërë krimin ndaj Astritit dhe drejtësisë në përgjithësi edhe sot e kësaj dite, mundohen të fshehin gjurmët e tyre. Nëse nuk zbardhet ky rast dhe raste të tjera, flet shumë se gjyqësia e Kosovës nuk është në nivel dhe Kosova nuk e meriton të ketë një gjyqësi të tillë”, është shprehur Dehari.