Zgjimi me dhimbje koke mund të sinjalizojë një çrregullim të gjumit ose një problem tjetër shëndetësor, ndaj është e rëndësishme të identifikohen shkaktarët si gjumi i dobët, alergjitë ose depresioni.
Sipas Health, ekzistojnë shtatë arsye kryesore pse mund të ndodhë kjo gjendje.
Apnea e gjumit
Një shkak i zakonshëm i dhimbjeve të kokës në mëngjes është apnea e gjumit, një gjendje ku frymëmarrja ndalet periodikisht gjatë natës. Trupi zgjohet për të rifituar frymëmarrjen pa e kuptuar. Gërhitja e fortë shpesh tregon këtë problem, por nuk është gjithmonë shenjë e apneas. Një studim gjumi mund të konfirmojë diagnozën.
Pagjumësia
Pagjumësia mund të pengojë një gjumë të mirë dhe të shkaktojë dhimbje koke. Simptomat përfshijnë vështirësi për të rënë në gjumë, zgjim i hershëm, gjumë të shkurtër dhe lodhje gjatë ditës.
Kërcitja e dhëmbëve (bruksizmi)
Kërcitja e dhëmbëve gjatë natës mund të shkaktojë dhimbje në muskujt e nofullës ose në nyjen temporomandibulare (TMJ), që mund të çojë në dhimbje koke. Simptoma të tjera janë dhimbje të veshëve, ndjeshmëri e muskujve ose dhimbje në dhëmbë. Një dentist mund të zbulojë problemin.
Alergjitë
Alergjitë ndaj marimangave të pluhurit ose të tjera mund të shkaktojnë dhimbje koke për shkak të bllokimit të sinuseve. Përdorimi i çarçafëve, jastëkëve dhe dyshekëve rezistentë ndaj alergjive dhe pastrimi i rregullt mund të ndihmojë. Mjeku mund të ofrojë mënyra të tjera lehtësimi.
Migrena
Migrenat zakonisht ndodhin në mëngjes, shpesh në njërën anë të kokës, me dhimbje pulsuese ose goditëse. Simptoma të tjera përfshijnë përzierje, dobësi, ndjeshmëri ndaj dritës dhe zhurmës. Disa persona përjetojnë simptoma para dhimbjes, si aura.
Mungesa ose gjumi i tepruar
Shumë pak ose shumë gjumë mund të shkaktojë dhimbje koke nga tensioni, ndonjëherë të ndjeshme si një “fashë që shtrëngohet” rreth kokës. Mund të përfshijë dhimbje në skalp, kokë ose qafë.
Depresioni dhe ankthi
Depresioni dhe ankthi mund të shkaktojnë dhimbje koke nga tensioni, veçanërisht në mëngjes para aktiviteteve stresuese. Në këto raste, është e rëndësishme të konsultoheni me një profesionist shëndetësor për vlerësimin e gjendjes së shëndetit mendor.






