Zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fahri Zhitia, në një prononcim për ATV-në, ka treguar se janë tre qytetarë të komunës së Podujevës që janë arrestuar dje nga policia serbe në pikën kufitare në Merdare, ndërsa për katër të tjerë të arrestuar që janë raportuar në media, ende nuk kanë ndonjë konfirmim zyrtar.
“Kemi informacion se janë shtatë qytetarë të Komunës së Podujevës që janë arrestuar në pikën kufitare në Merdare. Sipas informatave zyrtare që i kemi nga raporti i Policisë, i kemi tre qytetarë të arrestuar dje në pikën kufitare në Merdare, ndërsa në media është raportuar edhe për arrestimin e katër qytetarë të tjerë, të cilët janë arrestuar sot gjatë ditës, për të cilët ende nuk kemi ndonjë informatë zyrtare, por vetëm është raportuar në media”, tha Zhitia.
Ai tregoi se kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka kontaktuar me familjet e tre të arrestuarve në pikën kufitare në Merdare nga policia serbe.
“Sot gjatë ditës, kryetari i komunës i ka kontaktuar edhe familjarët e tre qytetarëve nga Podujeva të cilët janë arrestuar në pikën kufitare dhe ka marrë informata më të hollësishme për shkaqet dhe motivet të cilat kanë dërguar që ata të arrestohen. Ata ende nuk i dinë arsyet për çka janë arrestuar, përveç se kjo mund të jetë edhe si lloj hakmarrje karshi situatës e cila po ndodh në veri të vendit”, tha Zhitia. /atvlive.tv