Përgatiti: Armand Hoti
Lëvizjet janë të pakta. Të vetmit që shihen janë rojet e vendosur te porta.
Ish-fabrika “Damper” në Shirokë të Suharekës, që është njësi e ish-ndërmarrjes shoqërore “Ballkani”, u ndërtua gjatë viteve të ‘80-ta.
“Ka pas me u prodhu goma prej gomave të vogla të automjeteve deri te këto të tonazhit të madh, kanë pasur të prodhohen”, tha Gëzim Mazreku, ish-punëtor i Ballkanit.
Mirëpo, sipas Mazrekut, i cili ishte punëtor i ish-ndërmarrjes Ballkani, “Damperi” nuk u funksionalizua kurrë në plotësisht.
“Objekti si objekt, infrastruktura ka qenë e përfunduar dhe vetëm makineritë kanë pasur të vijnë”, tha Mazreku.
Por, 40 vjet pas mosshfrytëzimit të asaj pjese, pesë parcela me sipërfaqe prej më shumë se 30 hektarësh të Njësisë “Damper”, apo siç njihet ndryshe kampit “Casablanca”, tash synohet të përdoren për nevoja të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në mbledhjen e së mërkurës të Qeverisë, u miratua vendimi preliminar për shpronësimin e pronës së paluajtshme të NSH-së “Ballkani”, respektivisht njësisë “Damper”.
“Për realizimin e këtij projekti është e nevojshme që të kryhen procedurat e shpronësimit dhe vlerësimit të pronës për të gjithë pronarët, të evidentuar në tabelat e elaboratit të shpronësimit”, tha ministri i MMIPH-së, Liburn Aliu.
Me shpronësimin e kësaj prone, do të mundësohet edhe kompensimi i ish-punëtorëve të “Ballkanit”
“Duke qenë se Damperi është aseti kryesor i Fabrikës së Ballkanit dhe punëtorët e Ballkanit me vite të tëra presin kthimin e borxhit ndaj tyre nga institucionet shtetërore, me anë të këtij vendimi do të mundësohet edhe kompensimi i të drejtave të tyre”, tha Aliu.
Këtë vendim e kanë mirëpritur ish-punëtorët.
Sipas të dhënave të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, në total janë katër asete të mbetura në emër të NSH-së “Ballkani”.