24 vjet nga masakra në meje të Gjakovës, përkujtohen 376 burrat që u masakruan nga forcat serbe

Janë përkujtuar 376 burrat të moshës 15 deri në 60 vjet, që u vranë e u masakruan nga forcat paramilitare serbe, në Meje të Gjakovës, 24 vjet më parë.
Një pjesë e tyre ende nuk janë gjetur dhe mendohet se gjenden në varrezat masive në Serbi.

Pranë memorialit në Meje, krerët e shtetit kërkuan drejtësi për viktimat.

“24 vjet më vonë nuk kemi ende drejtësi dhe nuk kemi ende rehabilitim për familjet e viktimave dhe për mbarë popullin tonë. Dje në mbledhjen e qeverisë e iniciuam aderimin në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur dhe në Kuvend do të ratifikohet në mënyrë që në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare, të bëjmë hapa drejt zbardhjes së fatit të të pagjeturve”, tha kryeministri Albin Kurti.

“Deri më tash ka pasur fare pak interesim edhe prej mekanizmave tanë shtetërorë të drejtësisë, por edhe prej mekanizmave ndërkombëtarë që drejtësia të vihet në vend për këta familjarë. Sepse që 24 vjet janë duke jetuar me tmerrin e ankthit prej mëngjesit deri në mbrëmje, 24 vite duke mos e ditur shumica prej tyre as fatin e më të dashurve të tyre”, tha kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Mejen sot e vizituan edhe krerë të partive opozitare.

“Si çdo 27 prill, sa herë që vijmë këtu në Mejë, në lëndinën e dhembjes, por edhe në lëndinën e krenarisë, nuk ka se si të mos kujtojmë atë rrugëtim të rëndë dhe të vështirë të popullit tonë që dha dhe sakrifikoi aq shumë për lirinë që e gëzojmë sot. Si në çdo ditë tjetër, por në mënyrë të veçantë kur i kujtojmë të pagjeturit, dhimbjen e pambaruar të familjarëve tanë, por të kombit tonë në përgjithësi, nuk ka se si të mos mendojmë që nuk është bërë mjaftueshëm”, tha kreu i PDK-së, Memli Krasniqi

“Sot me përulësi nderojmë memorialin për Mejen, ku pushojnë trupat, shpirtrat e shqiptarëve të pafajshëm. Gjithë këta janë vrarë, e vërtetë pa arsye dhe pa asnjë të drejtë, civilë janë ndarë nga familjet e tyre”, tha kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Më 27 prill 1999 forcat serbe pasi rrethuan disa fshatra të Gjakovës, grumbulluan meshkujt, të cilët i ekzekutuan brenda vetëm disa orëve. Disa prej trupave të të vrarëve u gjetën pas luftës në varreza të ndryshme masive në Kosovë. /atvlive.tv

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA