Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se masakra e 3 dhe 4 shkurtit në Mitrovicë shërben si një kujtesë e trishtë e përpjekjes për mbijetesë.
Ajo gjithashtu ka thënë se vënia e autorëve të krimit para drejtësisë është domosdoshmëri në funksion të paqes afatgjate.
“Në kujtim të dy netëve të tmerrit të 3-4 shkurtit të vitit 2000, në Mitrovicë, sot nderojmë jetët e humbura të 10 qytetarëve të pafajshëm, mes tyre pleq, gra dhe fëmijë, të cilët u vranë mizorisht nga bandat kriminale, të nxitura nga Serbia. Respekt edhe për 25 të plagosur, të cilët mbijetuan dhe jetojnë ende me plagë fizike dhe emocionale nga nata e tmerrit”.
“1,564 familje me 11,364 anëtarë, të shpërngulur me forcë nga shtëpitë e tyre janë dëshmi e tendencës për spastrim etnik të kësaj pjesë të Mitrovicës nga grupet kriminale. Ngjarjet e atyre dy netëve të tmerrit, shërbejnë si një kujtesë e trishtë e përpjekjes për mbijetesë dhe për ta mbrojtur lirinë e arritur me gjak e sakrificë. Vënia e autorëve të krimit para drejtësisë është domosdoshmëri në funksion të paqes afatgjate! Qoftë i përhershëm kujtimi për të vrarët më 3-4 shkurt 2000 në Mitrovicë”, thuhet tutje në shkrimin e saj.