Një nga tifozët e klubit Bashkimi nga Prizreni është dënuar me 10 ditë burgim në Mal të Zi, pas incidentit të ndodhur në qytetin Herceg Novi, ku policia ndaloi autobusin e tifozëve të njohur si “Arpagjikët”. Arsyeja e ndalimit, sipas mediave malazeze, ishte një grafiti me mbishkrimin “UÇK”, që autoritetet malazeze e konsideruan shkelje të ligjit për simbole publike.
Sipas raportimeve të mediumeve “Vijesti” dhe “RTHN”, ngjarja ka ndodhur të enjten në mbrëmje, gjatë kthimit të tifozëve nga Italia, ku Bashkimi kishte zhvilluar ndeshjen e dytë në FIBA Europe Cup kundër skuadrës italiane Pallacanestro Reggiana. Dy tifozë u shoqëruan në stacionin policor të Herceg Novit, ndërsa njëri prej tyre u dënua me burgim të shkurtër nga gjykata lokale.
Pas këtij rasti ka reaguar fuqishëm klubi prizrenas Bashkimi, i cili e ka quajtur ndalimin të padrejtë dhe të papranueshëm, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të tifozëve.
Në reagimin e klubit thuhet se “Arpagjikët nuk kanë kryer asnjë krim dhe po mbahen pa arsye”, ndërsa i është bërë thirrje ambasadës së Kosovës në Mal të Zi që të angazhohet për mbrojtjen e qytetarëve të Kosovës dhe kthimin e tyre të sigurt në vend.
Ndërkohë, edhe tifogrupi “Arpagjikët” ka reaguar në rrjete sociale. Ata kanë njoftuar se tifozët janë liruar dhe po vazhdojnë rrugën për në Prizren, ndërsa kanë theksuar se tri shkronjat “UÇK” janë simbol i lirisë dhe krenarisë kombëtare shqiptare.
Në reagimin e tyre thuhet se: “UÇK-ja është dhe do të mbetet krenaria më e madhe jonë. Para se të shkruhet në mure, tri shkronjat e arta janë të skalitura në zemrat tona.”
Megjithë reagimet e shumta nga klubi dhe tifozët, Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) deri tani nuk ka dhënë asnjë reagim zyrtar lidhur me këtë rast që ka ngjallur shqetësim në opinionin sportiv dhe qytetar.







