Mesfushori shqiptar i Sunderland, Granit Xhaka, po përjeton një nisje sezoni të jashtëzakonshme me “Macet e Zeza” në Ligën Premier.
Vendimi i tij i befasishëm për t’u transferuar gjatë verës nga Bayer Leverkusen te Sunderland ka rezultuar një sukses i vërtetë. Sunderland po rezulton surpriza më e madhe e këtij edicioni, duke grumbulluar 17 pikë në nëntë ndeshje dhe duke zënë vendin e katërt në tabelë.
Njëri nga meritorët kryesorë për këtë fillim të shkëlqyer është padyshim Xhaka, i cili si kapiten po udhëheq ekipin dhe ka regjistruar gjithashtu tre asistime. Përveç kësaj, 33-vjeçari është futbollisti që ka vrapuar më shumë kilometra në kampionat gjatë nëntë javëve të para.
Sipas faqes zyrtare të Ligës Premier, Xhaka ka kaluar 100.8 kilometra në total, me një mesatare mbi 11 kilometra për ndeshje. Pas tij renditet bashkëlojtari i tij Noah Sadiki me 100.1 km, ndërsa Elliot Anderson (Nottingham) me 99.9 km, Daniel Munoz (Crystal Palace) me 99.2 km dhe Sander Berge (Fulham) me 98.5 km kompletojnë pesëshen më të vrapuar. /ATVLIVE.TV








