Përgatiti: Kastriot Tahiri
Përgatitje të veçanta bëri Komuna e Suharekës të enjten, meqë edhe mysafirët i kishte të tillë.
Aty erdhën 10 ambasadorë të shteteve të Bashkimit Evropian, të cilët kryetari Bali Muharremaj i priti me dhurata të ekipeve lokale të basketbollit dhe futbollit.
Ambasadorët erdhën në Suharekë, për ta parë nga afër ndikimin e investimeve evropiane në këtë komunë.
“Është një aktivitet shumë i rëndësishëm për ne, sepse dëshirojmë të tregojmë unitetin dhe veprimin e përbashkët mes BE-së karshi Kosovës. Kemi biseduar për zhvillimin ekonomik, sfidat që përballet komuna për furnizim me rrymë elektrike dhe ujë, që do të bëjë jetën më të mirë për qytetarët. Edhe për çështjen e sigurisë dhe bizneset për interesat e tyre, e përfshimë pak edhe futbollin. Biseduam edhe për çështjen e arsimit dhe regjistrimin e popullsisë”, tha ambasadori i BE-së, Tomas Szunyog.
Kryetari Muharremaj tha se në takimin e tij me ambasadorët, u bisedua edhe rreth mundësisë për zhvillim ekonomik, përmirësim të mjekësisë, si dhe sportit në këtë komunë.
“Biseduam për zhvillimin ekonomik në komunën e Suharekës, për shtimin e popullatës, mjekësinë, edhe për sportin, dhe për një bashkëpunim shumë të mirë. Ne morëm përkrahjen e BE-së për projekte të reja dhe do të jemi bashkë për një mirëqenie speciale më të mirë”, ka shtuar Muharremaj.
Me të përfunduar takimi, nikoqiri me 10 ambasadorët shkuan për të parë nga afër punën në fabrikat të cilat janë përfituese të grandit nga BE-ja.
Njëri nga pronarët, Burim Devetaku, tha se me grantin e BE-së investoi në makineri moderne.
“Me ndihmën e tyre ne kemi investuar shumë në makineri moderne ku 80 për qind janë për tregun e jashtëm. Një ndihmesë të madhe na ka dhënë edhe Kuvendi Komunal. Numrin e nxënësve e ndan shkolla, 4-5 nxënës çdo vit aftësohen më shumë për punë”, tha Devetaku.
Në vizitë nëpër komunën e Suharekës, i pranishëm ishte edhe shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano.






