Pas përfundimit të ndeshjes së sotme ndaj Prishtinës, FC Ferizaj ka njoftuar se kryetrajneri Arsim Abazi dhe stafi i tij kanë dhënë dorëheqje nga detyrat e tyre në klub.
Në një deklaratë zyrtare, klubi ka bërë të ditur se presidenti Lulzim Abazi dhe drejtori sportiv Genc Hyseni e kanë pranuar dorëheqjen, megjithëse mbështetja ndaj trajnerit dhe stafit të tij ka qenë e palëkundur gjatë gjithë mandatit të tyre.
“FC Ferizaj e falënderon kryetrajnerin Arsim Abazi dhe stafin e tij për kontributin e tyre të çmuar. Me të në krye, klubi arriti të rikthehej në Superligë dhe ishte pretendent serioz për një vend në garat evropiane,” thuhet në komunikatën e klubit.
Klubi gjithashtu ka shprehur mirënjohje për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar nga Abazi, duke theksuar se ai do të mbetet gjithmonë një pjesë e rëndësishme e historisë së FC Ferizaj.
“I urojmë trajnerit Abazi shumë shëndet dhe suksese në karrierën e tij të mëtejme,” përfundon njoftimi.
Aktualisht nuk është bërë e ditur se kush do ta marrë drejtimin e skuadrës, ndërsa pritet që drejtuesit e klubit të reagojnë në ditët në vijim me emërimin e trajnerit të ri./ATVLIVE.TV