Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku është zotuar për rinovim të infrastrukturës rurale, grante dhe lehtësira për familjet bujqësore si dhe për Itinerare turistike.
Kurse për fushën e turizmit, Çeku ka premtuar investime në atraksionet kryesore të kryeqytetit, mbështetje për festivalet kulturore dhe gastronomike si dhe krijimin e një Qendre për Vizitorë
Në Gjilan, kryetari aktual Alban Hyseni, që kërkon një mandat të dytë, është zotuar për zgjidhje moderne në infrastructure dhe jetën urbane, si dhe theksoi përkrahjen e qytetarëve si bazë për një mandat të ri.
Në Dragash, kandidati Filiz Mustafa ka bërë publike zotimet për përmirësimin e infrastrukturës në fshatin Bellobrad, përfshirë edhe ndërtimin e amfiteatrit të premtuar prej vitesh.
Në Fushë Kosovë, kandidati Valon Prebreza ka premtuar transformimin urbanistik të rrugës Dardania, nga një zonë me kaos infrastrukturor në një hapësirë funksionale për qytetarët.
Në Rahovec, kandidati Ali Dula ka zhvilluar takime me gra dhe të rinj të komunës, duke u zotuar për mbështetje të fuqishme për përfshirjen e tyre në vendimmarrje dhe zhvillimin lokal.
Në Podujevë, kryetari aktual Shpejtim Bulliqi ka njoftuar për vendosjen e gurthemelit për ndërtimin e Parkut të parë Bujqësor në nivel vendi, një investim në vlerë prej rreth 1.4 milionë euro.
Kurse në Prizren, kandidati Artan Abrashi ka theksuar dy prioritete kyçe: furnizimin e qëndrueshëm me ujë të pijshëm dhe zgjerimin e impiantit të ujërave të zeza.
Në Shtime, kryetari aktual Qemajl Aliu, kandidat edhe për një mandat ka premtuar vazhdimin e transformimit urban me ndërtimin e një sheshi të ri, parking nëntokësor dhe pedonale në qendër të qytetit.
Në Malishevë, kandidati Valon Hoti ka bërë një zotim simbolik dhe me rëndësi kulturore: ndërtimin e Muzeut të Nexhmije Pagarushës. Ky muze do të shërbejë si qendër kulturore dhe turistike, duke nderuar figurën e artistes së njohur dhe duke promovuar trashëgiminë kulturore shqiptare.