Zona e Kullës së Qelisë në Bjeshkët e Deçanit është përfshirë nga zjarri që nga dita e djeshme.
Në lidhje me këtë, kreu i Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka njoftuar se që nga mëngjesi një numër i madh i njerëzve kanë dalë në terren për të shuar zjarrin.
“Sot është aktivizuar një ekip i madh i njerëzve dhe i vullnetarëve, zjarrfikësve dhe punëtorëve të parkut, dhe po besoj që jemi në rrugë të duhur për të shuar zjarrin, i cili na ka shqetësuar që nga dita e djeshme, sidomos në orët e mbrëmjes, sepse edhe frynte një erë që e ndihmonte më shumë zjarrit. Ndërsa sot dita është më e qetë, nuk ka erë.” – ka thënë Ramosaj në një lidhje direkte për RTK.
Ai gjithashtu ka njoftuar se kanë kapacitete të mjaftueshme dhe se afër zjarrit nuk ka vendbanime dhe as biznese.
“Po, kemi kapacitete të mjaftueshme. E mira e gjithë kësaj është se nuk ka vendbanime afër këtij zjarri, nuk ka ndonjë biznes, as shtëpi, dhe nuk rrezikohet jeta e njerëzve. Mirëpo, është një brez i gështenjëve dhe i ahishtës që është e dhimshme me u djegur në këtë kohë. Po besoj që gjatë ditës do të lokalizohet ky zjarr, edhe pse është e vështirë, por do të mundohemi që pjesën më vitale të këtij pylli ta hekim nga rreziku.” – ka thënë Ramosaj.
I pyetur për rrethanat që kanë shkaktuar zjarrin, Ramosaj ka supozuar se mund të jetë pakujdesi e njeriut.
“Shkaktari, po supozojmë, është faktori njeri, mund të jetë ndonjë pakujdesi e njeriut dhe kaq.” – ka thënë ai.