Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka insistuar se partia e tij nuk do të bëjë koalicion me Vetëvendosjen.
Ai ka thënë se qëndrimet e Albin Kurtit janë deklarata dëshirore dhe se nuk do që të përballet me realitetin.
Zemaj ka shtuar se kjo është logjikë e VV-së që përdorë imponimin dhe diktatin përbrenda.
“Janë deklarata dëshirore të Kurtit pa dashur që të përballet me realitetin. Kjo është logjikë e VV-së, imponimi diktati, mendojnë që edhe subjektet tjera duhet t’i nënshtrohen. Këtu jemi për dëshira personale, këtu jemi për t’u shërbyer popullit dhe formimit të institucioneve të reja. Më shumë u ka shërbyer militantëve të Facebookut, por kjo është gjendja fatkeqësisht”, ka thënë Zemaj.
Kurti në një intervistë të martën në RTK ka thënë se i ka 61 vota për kryeministër, teksa Zemaj është kundërpërgjigjur se nëse i ka këto vota, do të mund ta votonte edhe Albulena Haxhiun si kryetare të Kuvendit.
“Kjo është tepër e parëndësishme ne nuk jemi këtu për t’u sfiduar, por për zgjidhje, nëse ai i ka 61 vota, atëherë përse nuk e zgjedh kryetarin e Kuvendit. Nëse janë 61 deputetë ta zgjedhin Albulena Haxhiun, por po e shohim se nuk po ndodhë”, ka thënë Zemaj.