Njëri nga themeluesit e UÇK-së, Xhavit Haliti, në emisionin CONTEXT në ATV, ka treguar për takimin e tij të parë me Adem Jasharin në Tiranë dhe vendin ku ai qëndronte gjatë kohës që ishte në Shqipëri.
Haliti tha se Jasharin e takoi për herë të parë në kryeqytetin shqiptar, në një periudhë kur një grup i luftëtarëve të UÇK-së po stërvitej atje.
“Adem Jasharin e kam takuar për herë të parë në Tiranë, në kohën kur një grup që ishte në ushtrime atje ishte nisur për Kosovë dhe disa ishin arrestuar. Nuk i kam të qarta detajet se si është kthyer apo nëse ishte nisur fare Ademi”, tha Haliti.
Ai tha se Jashari kishte qëndruar për një kohë të gjatë në Shqipëri dhe se banonte në Shtëpinë e Oficerëve në Tiranë.
“Ai për një kohë bukur të gjatë ka qëndruar në Shqipëri, ka banuar në Shtëpinë e Oficerëve, që ishte për të vetmuarit, ata që i quanin edhe të pamartuar”, tha Haliti.
Intervistën e plotë me Xhavit Halitin në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë: