Muajin e ardhshëm, shtëpia prestigjioze e ankandit Sotheby’s do të nxjerrë në shitje pallton prej leshi ngjyrë jargavani të Jackie Kennedy-Onassis — veshjen që ajo mbante natën e fitores zgjedhore të John F. Kennedy, më 8 nëntor 1960.
Ankandi është pjesë e ekspozitës së parë “Handbags & Fashion”, një koncept i ri që Sotheby’s po prezanton në hapësirën e tij globale në ndërtesën Breuer, në New York. Kjo shënon premierën e modës dhe aksesorëve në këtë ambient që tradicionalisht ka pritur vetëm art dhe objekte të rralla.
Palltoja, e vlerësuar të arrijë nga 6,000 deri në 8,000 dollarë, do të jetë në shitje deri më 15 dhjetor.
Kjo veshje është bërë ikonike pasi u përjetësua në kopertinën e një edicioni special të revistës Life, kur bota po njihte Presidentin e sapozgjedhur dhe Zonjën e Parë.
Jackie Kennedy e veshi në Hyannis Port natën e zgjedhjeve, teksa ishte tetë muajshe shtatzënë me John F. Kennedy Jr.
E punuar në lesh vjollcë të ndezur, palltoja kontrastonte fort me tonet neutrale të modës së asaj kohe dhe shquhej për elegancën e saj të pazakontë.
Ajo ka një histori intime: ka kaluar dorë më dorë mes një rrethi të ngushtë miqsh të familjes Kennedy, shumë prej të cilëve po ashtu shtatzënë, duke u ruajtur si simbol i miqësisë dhe përvojave të përbashkëta.
“Pak veshje e kapin me kaq elegancë frymën e një pike kthese historike,” tha Morgane Halimi, Drejtore Globale e Çantave dhe Modës në Sotheby’s.







