Ish-kapiteni i Manchester United, Wayne Rooney, ka bërë debutimin e tij si komentator televiziv në Angli, duke dhënë komente të forta për sulmuesin suedez Aleksandër Isak.
Rooney kritikoi hapur sjelljen e Isak, i cili aktualisht është në grevë, pasi refuzoi të luante për Newcastle në përpjekje për të detyruar një transferim te Liverpooli.
“Refuzimi për t’u stërvitur do ta bëjë shumë të vështirë rikthimin e tij në fushë. Ai ka një problem me vetëbesimin dhe po ndjek rrugën e gabuar. Ndoshta nuk po këshillohet siç duhet. Klubi që përpiqet ta marrë, në këtë rast Liverpooli, duhet të pyesë veten nëse ky është lloji i lojtarit që ata duan – dikush që braktis shokët e ekipit dhe një klub të madh. Është një mundësi e mirë, por duhet të trajtohet siç duhet,” tha Rooney.
Ish-futbollisti gjithashtu kujtoi kohën kur ai vetë kërkoi largimin nga United në vitin 2010, me interes nga Chelsea, duke theksuar dallimin thelbësor në sjellje: “Kur kërkova të largohem, nuk kam refuzuar kurrë të stërvitem ose të luaj. Sot lojtarët japin gjithçka për klubin dhe tifozët, por shohim një lojtar që refuzon të luajë, pavarësisht kontratës trevjeçare dhe pagës mbi 100,000 £ në javë. Kjo nuk mund të ndodhë.” tha në fund anglezi.