Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, ka deklaruar se ndër datat e përmendura si opsione për zgjedhjet e reja, 28 dhjetori është më e përshtatshmja për subjektin e tij politik.
Thaçi ka theksuar se Vetëvendosje është e gatshme të shkojë në zgjedhje “kurdoherë”, pavarësisht datës që do të vendoset.
“Që të dy opsionet për ne janë në rregull, mirëpo 28 dhjetori sigurisht që është datë më e mirë për zgjedhje. Por, pavarësisht kësaj, ne si Lëvizje Vetëvendosje kemi deklaruar vazhdimisht se jemi të gatshëm kurdo herë për zgjedhje. Na vjen keq që nuk u arrit të krijohet qeveria, sepse kishim një opozitë që qëndroi stoike në bllokadën e shtetit, prandaj këtë përgjegjësi do ta bartin para qytetarëve ata që e bllokuan krijimin e institucioneve”, ka thënë Thaçi.
I pyetur nëse Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, ndjen përgjegjësi që vendi po shkon përsëri në zgjedhje, Thaçi është shprehur se subjekti ka treguar gatishmëri dhe kompromis gjatë gjithë procesit.
“Që nga fillimi kemi bërë kompromise, sepse kemi ofruar opsione të ndryshme, qoftë me tërheqjen e Albulena Haxhiut apo me Albin Kurtin. Ne në vazhdimësi kemi bërë përpjekje që të ecim tutje dhe të krijojmë institucionet tona. Mirëpo u formua një bllok i opozitës, dhe sot në Kuvend u pa qartë votimi i tyre, pra kundër”, ka shtuar ai.







