Përgatiti: Teuta Arifaj
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takua në Beograd me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen. Në një postim në Instagram pas takimit, Vuçiq tha se takimi i tij i parë me të dërguarin e ri për dialogun ishte “i hapur dhe i drejtë”.
Ai ka thënë se e ka njoftuar Sorensenin, i cili javën e kaluar e vizitoi Kosovën “për problemet me të cilat ballafaqohen serbët” atje.
“Shpreha shqetësim të veçantë për pozitën e vështirë në të cilën ndodhen serbët për shkak të lëvizjeve të shumta përshkallëzuese, të njëanshme dhe të dhunshme të Prishtinës”, shkroi Vuçiq.
Presidenti serb e akuzoi Kosovën se po bën “pengesa të vazhdueshme në procesin e dialogut”, duke ripërsëritur se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë “është parakusht për fillimin e një normalizimi thelbësor të marrëdhënieve”. Vuçiq tha se pret nga Bashkimi Evropian ta rrisë angazhimin e tij në mënyrë që të ruajë besueshmërinë e dialogut dhe të mbajë rol të paanshëm në këtë proces.
Ai shtoi se qëndrimi i Serbisë është se vetëm dialogu konstruktiv dhe zgjidhjet kompromisi mund të kontribuojnë për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.
Takimi i fundit në Bruksel i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, mes Kosovës dhe Serbisë, ishte zhvilluar më 17 dhjetor të vitit të kaluar.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve, në videon më poshtë: