Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, është deklaruar se pavarësisht sfidave që e presin rajonin, Sërbia do të mbetet e përkushtuar ndaj procesit të integrimit evropian dhe ndaj bashkëpunimit me vendet fqinje.
“Edhe pse na presin shumë sfida, Sërbia mbetet e përkushtuar që zgjerimi i Bashkimit Evropian të mbetet një nga prioritetet kryesore, e jo një temë dytësore”, tha Vuçiq, duke theksuar rëndësinë e Procesit Brdo–Brioni si një platformë që mund të sjellë rezultate konkrete për rajonin.
Ai shtoi se pret që nga ky proces të dalin konkluzione të qarta, pasi sipas tij, vetëm sinqeriteti dhe qëndrueshmëria e të gjitha palëve mund të sigurojnë besimin dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor.
“Jam i bindur se zgjerimi i BE-së duhet të mbetet pjesë e rëndësishme e agjendës së rajonit, sepse perspektiva e anëtarësimit sjell reforma, investime dhe rritje ekonomike,” shtoi më tej presidenti serb.
Në fund të fjalës së tij, Vuçiq theksoi se Sërbia do të mbetet një partner i besueshëm dhe i përgjegjshëm i Bashkimit Evropian, duke përsëritur angazhimin e Beogradit për të vazhduar rrugën drejt integrimeve evropiane.