Dy gjyqtarë të shquar të Gjykatës së Lartë të Iranit janë vrarë në një sulm në selinë e gjykatës, sipas burimeve zyrtare të gjyqësorit.
Viktimat u identifikuan si Ali Razini dhe Mohammad Moghiseh. Një gjyqtar i tretë gjithashtu u plagos gjatë sulmit, i cili ndodhi në Pallatin e Drejtësisë në Teheran.
Shërbimi për shtyp i gjyqësorit iranian raportoi se një person i armatosur kishte “infiltruar Gjykatën e Lartë në një akt të planifikuar për të vrarë dy gjyqtarë”.
Motivi i sulmit mbetet i paqartë, shkruan reuters.
Hetimet fillestare zbuluan se sulmuesi nuk kishte ndonjë çështje të hapur në gjykatë dhe as ndonjë lidhje tjetër, sipas raportimit të shërbimit për shtyp të gjyqësorit.
Gjykata e Lartë është autoriteti më i lartë gjyqësor në Iran, me kryetarin e saj të emëruar nga lideri suprem. Me seli në Teheran, ajo ka degë në të gjithë vendin.
Shërbimi për shtyp i gjyqësorit raportoi se sulmuesi “shpejt kreu vetëvrasje” pas të shtënave, megjithëse kjo nuk është konfirmuar.
Raporte të tjera nga mediat iraniane treguan se autori i krimit ishte një pjesëtar i një “forcë sigurie të infiltruar,” i cili fillimisht plagosi një truprojë me thikë, i rrëmbeu armën dhe më pas kreu vrasjet.
Të dy viktimat mbanin pozita të rëndësishme në sistemin e fuqishëm gjyqësor të Iranit. Gjyqtari Mohammad Moghiseh kishte gjykuar shumë çështje politike, përfshirë ato të mbështetësve të Lëvizjes së Gjelbër të opozitës në vitin 2009. Ai ishte subjekt i sanksioneve nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara për shkelje të të drejtave të njeriut.
Gjyqtari Ali Razini kishte shërbyer në shumë pozita të larta dhe ishte akuzuar nga opozita iraniane për përfshirje në një seri vrasjesh jashtëgjyqësore të të burgosurve politikë në vitin 1988.