Vlerësimi i Edi Ramës: Pa Rugovën nuk do kishte as UÇK

Përgatiti: Kastriot Tahiri

Revolucionar, intelektual e i papërsëritshëm është cilësuar ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Përveç këtyre cilësimeve, në konferencën ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, Rama tha se pa Rugovën, nuk do të kishte as Ushtri Çlirimtare të Kosovës.

“Rugova i dha popullit të tij një forcë të panjohur ndonjëherë në trojet tona. Presidenti Rugova ishte president i shpresës në mes të shtypjes së shpresës”, tha Rama.

Kryetari i partisë së themeluar nga Rugova, Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, tha se ai gjithmonë ishte pro-perëndimor.

“Ibrahim Rugova: Kosova shtet i pavarur me përkrahës e aleatë. Presidenti, Evropën e konsideronte si bashkësi, e shqiptarët pjesë të tyre, ishte perëndimor, autentik, Rugova veproi në një kohë të thyerjeve të mëdha, ai zgjodhi fjalën e lirë, ne jemi popull perëndimor sikurse Ibrahim Rugova”, tha kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Veprimtaria e Rugovës është frymëzim edhe për ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier, i cili thotë se i ka mbetur një merak në raport me të.

“Shpresoja të ma jepte një gur, sepse kjo ishte e famshme dhe shumë prej kolegëve të mi shpresonin dhe ai nuk ma dha, u theva i tëri”, tha Hovenier.

Kurse ish-kryeministri italian, Massimo D’Alema, kujtoi raportet me Rugovën, në kohën e bombardimeve të NATO-s.

“Ishte një moment i vështirë, kohë e vështirë në konflikt. Bombardimet e NATO-s kishin filluar, por nuk kishte shenja që Serbia do të dorëzohej dhe do t’i tërhiqte trupat e do ta lejonte paqen në Kosovë. Në Uashington, në një takim, mundësia e intervenimit të NATO-s ishte rritur”, tha D’Alema.

Konferenca “Rugova dhe Perëndimi”, u organizua në kuadër të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA