Veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë mbledhur sot në një protestë paqësore para hotelit Sheraton në Prishtinë, ku pritet të mbahet konferenca e kryetares së Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, znj. Ekaterina Trendafilova, ndërkohë që protestuesit janë afruar pranë hyrjes së hotelit, Trendafilova ndodhet brenda objektit, raporton ATV.
Rreth 15 pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë dalë pranë derës kryesore të hotelit për të monitoruar situatën, ndërsa protestuesit kanë filluar me fjalimet e tyre.
Në mesin e tyre janë vërejtur edhe përfaqësues të Partisë Socialdemokrate (PSD), të cilët kanë shprehur mbështetje për protestën.
Vizita e Trendafilovës në Kosovë, e cila nisi më 12 maj dhe do të zgjasë deri më 14 maj, po zhvillohet nën masa të shtuara sigurie. Policia ka njoftuar për ndërprerje të përkohshme të trafikut në disa segmente rrugore, për të mundësuar lëvizjen dhe takimet e saj sipas agjendës.
Megjithatë, kjo vizitë ka shkaktuar reagime të ashpra nga organizatat e dala nga lufta, të cilat e kanë cilësuar “të papranueshme dhe fyese”. Në një deklaratë të përbashkët, OVL-UÇK, SHIL dhe SHFD kanë dënuar praninë e saj, duke e konsideruar si një nënvlerësim të sakrificës për liri dhe mungesë të transparencës.
“Vizita e saj e mbyllur për qytetarët dhe mediat është shprehje e mungesës së llogaridhënies. Gjykata që heshti për krimet serbe mbi civilët shqiptarë, sot vjen si autoritet drejtësie në Kosovë. Kjo është hipokrizi e pastër,” thuhet në deklaratë.
Organizatat kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës që të distancohen nga kjo vizitë dhe i kanë bërë thirrje opinionit publik, shoqatave të dala nga lufta dhe mediave të qëndrojnë në krah të
së vërtetës dhe historisë. /atvlive.tv