Drejtori menaxhues i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Petrit Pepaj, tha se arsyeja kryesore e propozimit për rritje të çmimit të energjisë elektrike 15 për qind, është për shkak të rritjes së çmimit në bursa, raporton EO.
Kjo u bë e ditur në një takim me përfaqësues të mediave, i cili kishte për qëllim diskutimin e çështjeve kryesore që lidhen me procesin e përshtatjes së rregullt tarifore.
Pepaj tha që nga vendosja në konsultim publik të këtij raporti ZRRE-ja ka pranuar 396 komente nga qytetarët, 8 nga OJQ dhe sindikata, 4 nga bizneset, një deputet, një koment nga Ministria e Ekonomisë dhe një koment nga Presidenca e Kosovës.
Ai tha se vendimi, që pritet të merret më 11 prill, pritet të zbatohet nga 1 maji.
“Në momentin kur e kemi publikuar raportin e konsultimit kemi deklaruar se për këtë rritje shkaktari kryesor është çmimi që ka ndodhur në bursa. Nuk ka diçka tjetër që ka ndodhur. Ne jemi duke punuar me orar të zgjatur, do të arrijmë që të përgjigjemi në komentet e qytetarëve deri më 11 prill, kur mund të jemi të gatshëm. Vendimi, që pritet të merret më 11 prill pritet të fillojë zbatohet më 1 maj”, tha drejtori menaxhues i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Petrit Pepaj.