Diplomati amerikan, i cili udhëhoqi anën diplomatike të kampanjës së NATO-s në Kosovë në vitin 1999, James F. Dobbins, ka ndërruar jetë të hënën në moshën 81-vjeçare.
Sipas “New York Times“, ai do të mbahet mend edhe si diplomat që pati role në prapaskenë në disa prej çështjeve më delikate transatlantike të Luftës së Ftohtë duke përfshirë negociatat tregtare dhe lëvizjen e armëve bërthamore në Evropën Perëndimore.
Ai ka shërbyer si emisar special në Haiti, gjatë intervenimit amerikan më 1994 dhe 1995, kurse më vonë mori rol për ruajtjen e paqes dhe rindërtimin në Bosnje dhe Kosovë.
Po ashtu, ai do të mbahet mend si praktikuesi kryesor i politikës amerikane për ndërtime të kombeve.
Familja e tij ka njoftuar se Dobbins ka vdekur në spital, si pasojë e komplikimeve nga sëmundja e Parkinsonit.
“Secilën herë, Dobbins thellonte përvojën e tij me rindërtimin e shoqërive të shkatërruara nga lufta, duke zhvilluar njohuri në enigmën jashtëzakonisht komplekse të politikës së jashtme. Ai menaxhoi anën diplomatike të fushatës ajrore të NATO-s në Kosovë në vitin 1999 dhe më pas ndihmoi në menaxhimin e përpjekjeve për ruajtje të paqes dhe rindërtim atje”, shkroi “NYT” të shtunën, teksa publikoi edhe fotografi të Dobbinsit në vitin 1999 në Kosovë, krahas ish-Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright.