Ka vdekur të hënën 25-vjeçari i cili mbeti i lënduar nga shpërthimet e fishekzjarrëve në Prizren më 31 dhjetor të vitit 2024.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili tha se për vdekjen e viktimës, policia është njoftuar nga familjarët.
“Sot me datë 20.01.2025, rreth orës 11:00 Sektori Rajonal I Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren, nga një i afërm i familjes është informuar se viktima e rastit “Shkaktim I rrezikut të përgjithshëm” të ndodhur në Prizren me datë 31.12.2024 ( shpërthimi I fishekzjarrëve), si pasoj e lëndimeve të marra sot ka vdekur. Viktima Abdurrahman Memaj (d.l.13.08.1999), për shkak të plagëve të rënda ishte transferuar në Turqi për shërim”, ka theksuar Bytyqi për KosovaPress.
Ai po ashtu ka shkruar se lidhur me informatën nga hetuesit rajonal është informuar edhe prokurori I shtetit.
25-vjeçari që mbeti i lënduar më 31 dhjetor nga shpërthimi i fuqishëm që ndodhi në Prizren, ishte duke u trajtuar në Stamboll të Turqisë, ku edhe vdiq.
Rasti ka ndodhur në rrugën “Ahmet Prishtina” dhe Policia e Kosovës e ka pranuar informatën rreth orës 21:33.
Personi që ishte lënduar natën e 31 dhjetorit pas shpërthimit të një pike shitjeje të mjeteve piroteknike në Prizren, është dërguar për trajtim në Turqi.
Pas lëndimit nga zjarri i madh, ai ishte dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ku ka qëndruar deri më 6 janar.