Përgatiti: Armand Hoti
Temperaturat e larta, të enjten, e djersitën këtë nxënës të shkollës fillore “Mihal Grameno”, në Fushë-Kosovë.
Kondicionerë nuk ka në asnjë prej klasave, andaj edhe vapa bëhet e padurueshme për nxënësit.
Për këtë arsye, udhëheqësia e shkollës vendosi që në ditët e fundit të procesit mësimor, t’i shkurtojë orët për 10 minuta, për katër ndërrimet.
“Jemi duke punuar me orar të shkurtuar, sot dhe nesër. Shkaku i temperaturave të larta, e kemi parë të udhës ta shkurtojmë orarin. Këtë vendim e kemi marrë në bashkëpunim me DKA-në. E kemi parë më të udhës që fëmijët të mbajnë mësim 30 minuta e mësim tamam cilësor, sesa 40 minuta në atë të nxehtë, fëmijët nuk ishin të fokusuar në mësim”, tha sekretarja e shkollës, Gentiana Krasniqi – Ajvazi.
Sekretarja e shkollës, Gentiana Krasniqi – Ajvazi, përmend nevojën e pajisjes me kondicionerë, të klasave ku mësojnë më shumë se 2200 nxënës.
“Normalisht ka nevojë për klima në secilën klasë, ne këtu jemi vetëm një dhe po na vjen nxehtë, e lëre më 25-27 nxënës në një klasë, plus adoleshentët dhe këta të vegjlit e kanë një energji të madhe që lëvizin më shumë… kemi bërë kërkesë edhe në DKA”, tha Krasniqi – Ajvazi.
Nënkryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Besnik Osmani, thotë se është lënë në vullnetin e drejtorëve të shkollave në këtë komunë, të vendosin për shkurtimin e orarit.
“Nuk mund të them se po zbatohet në të gjitha shkollat, por është lënë në autonominë e drejtorëve të shkollave në bashkëpunim me këshillat e prindërve”, tha Osmani.
Sipas nënkryetarit Osmani, instalimi i kondicionerëve do të bëhet së shpejti, në pesë shkolla të komunës.
“Kemi tani një marrëveshje të re që ka të bëjë me energjinë solare që do ta kemi me bashkëpunim donator, ku do jenë tri shkolla nga donatori dhe dy shkolla nga ne që përfshin edhe pjesën e klimatizimit edhe ngrohjes edhe ftohjes me energji solare… të gjitha janë shkolla fillore, njëra prej tyre është “Mihal Grameno””, tha Osmani.
Edhe disa shkolla të tjera, në komunat tjera, po e aplikojnë shkurtimin e orarit.
Këshilli i Prindërve të Kosovës ka kërkuar që procesi mësimor të përfundojë të premten, për shkak të mungesës së klimatizimit nëpër shkolla.