Një ushtar nga Kosova, i cili ndihmonte në trajnimin e personelit të ushtrisë ukrainase, ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij për sulm seksual në Britani.
Sipas raportimit të BBC, bëhet fjalë për Bali Hoxhën, 28 vjeç, me shërbim në kampin Tofts Camp në Thetford, Norfolk, i cili është akuzuar për përdhunim dhe dy raste të sulmit seksual ndaj një gruaje.
Në aktakuzë thuhet se ngjarja e dyshuar ka ndodhur më 17 shtator, rreth orës 23:30, në një shtigje midis rrugës “Prince of Wales” dhe parkut “Riverside Retail Park”.
Aktualisht, Hoxha ndodhet në paraburgim, pasi Gjykata e Kurorës në Norwich ka vendosur ta mbajë aty deri në gjykimin e caktuar për 7 prill të vitit të ardhshëm, proces që pritet të zgjasë pesë ditë.
Gjatë seancës, gjykatës iu bë e ditur se tre dëshmitarë do të kenë nevojë për përkthyes, ndërsa ka të ngjarë që ata të jenë të dislokuar në Kosovë në kohën e gjykimit.
Sipas gjykatës, Ushtria e Kosovës do t’i lirojë për të marrë pjesë në seancë.







