Vendimi i fundit për vizat u mor.
Parlamenti evropian të martën miratoi përfundimisht heqjen e regjimit të vizave për Kosovën. Por, edhe për më shumë se 8 muaj, kosovarët nuk do të mundë të udhëtojnë vetëm me pasaportë.
Procedurat e mëtejme, siç janë ceremonia e nënshkrimit, e publikimi në gazetën zyrtare, e tek në fund edhe aplikimi i sistemit Etias, do t’i shtyjnë udhëtimet pa viza të qytetarëve deri në janar të vitit të ardhshëm.
Megjithatë, kjo po vlerësohet si ditë e madhe për Kosovën.
“Të dashur qytetarë, njerëz të dashur të Kosovës, urime! Më në fund kemi votën për liberalizim të #vizave për Kosovën. Ju është dashur të prisni shumë gjatë dhe kjo ishte e padrejtë dhe e paarsyeshme. Jam shumë e lumtur për ju, e ky vendim do t’ju bëjë juve edhe më të lumtur. Urime, ka përfunduar edhe kjo punë!”, thotë në urimin e saj raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cremon.
Edhe deputeti holandez Thjis Reuten, uroi për procesin, siç e quajti ai të vonuar.
“Krenar që më në fund e realizuam këtë premtim të vonuar të BE-së, për qytetarët e Kosovës. Ju jeni pjesë e Evropës! Tani mund ta hapim kapitullin tjetër, duke ndërtuar më tej të ardhmen tonë të përbashkët evropiane”, tha Reuten.
Shampanjë nuk hapën, por liderët shtetërorë, megjithatë uruan qytetarët.
“Vendimi i sotëm final për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës është fitore, jo vetëm për vendin tonë, por për vetë demokracinë dhe unitetin në Evropë. Ky vendim është meritë e popullit të Kosovës, vendosmërisë së pashembullt të treguar gjatë viteve, pavarësisht vonesave dhe padrejtësive të ndryshme”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Kjo na sjell një hap të rëndësishëm më pranë Bashkimit Evropian dhe duke kontribuar në pasurinë që ofron BE-ja. Faleminderit eurodeputetëve për mbështetjen e tyre!”, tha kryeministri Kurti.
Vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës vjen pas 12 vjet pritjeje, nga hapi i parë për nisjen e negociatave për liberalizim. /atvlive.tv