Uniforma ushtarake me emblema të ushtrisë serbe dhe një predhë anti-tank janë gjetur mbrëmjen e së martës në një shtëpi të braktisur në Jarinje.
Policia, e cila ka njoftuar për rastin, thotë se gjatë kontrollit nuk është hasur asnjë person i dyshuar dhe as dëshmitarë.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, ngjarja është regjistruar më 18 nëntor 2025, rreth orës 19:30, kur një patrullë policore vuri re se dera e objektit ishte e thyer. Pas hyrjes brenda, zyrtarët policorë gjetën disa uniforma ushtarake me simbole të ushtrisë serbe dhe një predhë anti-tank.
Njësitë relevante të policisë konfiskuan një predhë anti-tank kalibër 37 mm, model M38, si dhe disa pjesë të veshjeve ushtarake: një këmishë me mëngë të shkurtra, dy xhaketa dimërore, një jakne dhe një palë pantallona.
Policia njofton se prokurori i rastit është informuar dhe ka bërë cilësimin e ngjarjes, ndërsa hetimet po vazhdojnë.







