Përdorimit të ujit të pijshëm për ujitje, ia panë sherrin plot qytetarë në Prishtinë e rrethinë.
Shumë lagje të kryeqytetit e vende të tjera, po përballën me mungesë të ujit gjatë tërë natës, pothuajse që prej fillimit të sezonit të verës.
Krejt kjo shkak i shpenzimit enorm të ujit, që zbrazi rezervuarët, njoftuan nga kompania rajonale e ujësjellësit “Prishtina”.
“Problemet më të mëdha kanë qenë në rrugën B, rrugën Ndue Përlleshi, lagjja mati 1, por kjo ka qenë për shkak ë shpenzimit enorm të ujit të pijshëm nga ana e qytetarëve dhe rënia e nivelit të ujit në rezervuare ka qenë e madhe pasi disa zona nuk furnizohen direkt nga liqeni por nga rezervuarët”, tha Arjeta Mjeku, zëdhënëse e KRU “Prishtina”.
Vetëm gjatë muajve të verës, janë evidentuar qindra raste të keqpërdorimit të ujit, përfshirë edhe lidhjet ilegale jashtë ujëmatësit.
“Rreth 300 e disa raste që i kemi zënë duke e ujitur përmes lidhjeve ilegale jashtë ujëmatësit përveç që i kemi shkyçur nga sistemi i ujësjellësit, lëndët e tyre janë dërguar edhe në gjykatat kompetente”, tha Mjeku.
Me probleme të njëjta, janë edhe shumë lagje të Mitrovicës me regjion.
Pa dhënë shifra, nga kompania rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica”, thanë se gjatë tërë verën vazhdimisht kanë bërë kontrolle, dhe kanë gjobitur qindra qytetarë që janë zënë duke keqpërdorur ujin.
Sidoqoftë problemi me furnizim me ujë, pritet të evitohet tash me uljen e temperaturave, kur shpenzimi bie, meqë uji nuk përdorën më për ujitje.