Në një zonë malore të bukur të Anamoravës, pikërisht në fshatin Lubishtë të komunës së Vitisë, buron një nga ujërat më të pastër natyrorë në Kosovë, uji i Lubishtës.
Ky ujë del nga thellësitë e tokës në një lartësi mbidetare prej 1200 metrash dhe mbart me vete një histori që lidhet ngushtë me natyrën, pastërtinë dhe potencialin e resurseve të brendshme të vendit.
Përveç aspektit të cilësisë, Uji i Lubishtës është edhe simbol i përkushtimit komunitar. Në vendin ku buron uji, vizitorët mund të mbushin bidonët e tyre pa pagesë, ndërsa për ata që kanë mundësi financiare, çmimi është vetëm 1 cent për litër. Kjo praktikë reflekton frymën e solidaritetit dhe humanizmit që e karakterizon këtë nismë.
Uji i Lubishtës është tashmë i njohur edhe jashtë kufijve vendorë, me ambicie që të pozicionohet si markë premium në tregun ndërkombëtar të ujit. Me cilësinë e tij të dëshmuar dhe historinë e fortë lokale pas vetes, ky burim natyror po kthehet në një prej simboleve më pozitive të Anamoravës.