Pas raportimeve të një agjencie lajmesh nga Maqedonia e Veriut mbi cilësinë e ujit të eksportuar nga Ujë Rugove, kompania ka dalë me një reagim zyrtar për të sqaruar situatën.
Në komunikatën për media, Ujë Rugove thekson se të gjitha produktet e saj i nënshtrohen kontrolleve rigoroze laboratorike dhe se analiza e përsëritur ka konfirmuar cilësinë dhe sigurinë e ujit.
Kompania fton mediat dhe opinionin publik të bazohen në të dhëna shkencore dhe të shmangin keqinterpretimet mbi këtë çështje.
Reagimi i plote:
Në lidhje me raportimin e bërë nga një agjenci e lajmeve në Maqedoninë e Veriut mbi cilësinë e ujit tonë të eksportuar, dëshirojmë të sqarojmë dhe të japim një pasqyrë të plotë të situatës.
Ujë Rugove eksporton produktet e saj në Maqedoninë e Veriut përmes distributorit të autorizuar, Dauti Komerc. Para hyrjes në këtë treg, ne kemi kaluar një proces rigoroz licencimi dyvjeçar, duke përmbushur të gjitha kërkesat burokratike dhe standardet e vendosura nga shteti i Maqedonisë së Veriut. Aktualisht, jemi në vitin e tretë të operimit në këtë treg pa asnjë problem dhe me një standard të lartë cilësie.
Më datë 12 shkurt, gjatë një analize të bërë nga eksporti i një sasie të ujit në shishe plastike 1.5l në Maqedoninë e Veriut, është konstatuar se cilësia e ujit nuk i ka kaluar testet. Lidhur me mostrën e analizuar, dëshirojmë të sqarojmë se:
- Mostra në fjalë ishte pjesë e procedurës standarde të kontrollit kufitar para se produkti të hidhej në treg
- Sipas legjislacionit në fuqi, pas një analize fillestare, ne kërkuam që e njëjta mostër të testohej përsëri nga autoritetet përkatëse maqedonase. Rezultatet e analizës së dytë konfirmuan se uji është i pastër, i pijshëm dhe pa asnjë problem cilësor. Bashkangjitur e gjeni analizën e suksesshme te Institutit maqedonas të certifikuar Food Lab që e vërteton këtë.
Uji Rugove i nënshtrohet kontrolleve të përditshme nga laboratori ynë i brendshëm, disa herë brenda ditës – në mëngjes, gjatë ditës dhe në mbrëmje. Përveç kësaj, produktet tona certifikohen rregullisht nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë, duke garantuar sigurinë dhe cilësinë maksimale.
Gjithashtu, Ujë Rugove eksporton produktet e tij në disa tregje ndërkombëtare, përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi, Serbinë, Gjermaninë, Zvicrën, Arabinë Saudite, Austrinë, Anglinë, Amerikën, si dhe bazat ushtarake të NATO-s në Evropën Juglindore. Çdo eksport i yni i nënshtrohet analizave strikte te AUVK (Agjensioi i Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës) si dhe analizave të shteteve respektive, ku çdo herë i ka kaluar me sukses të gjitha testimet.
Për këtë arsye, çdo interpretim që vë në dyshim cilësinë dhe sigurinë e ujit tonë është i pabazuar dhe i pavërtetë. Jemi të përkushtuar të ofrojmë vetëm produkte të sigurta dhe cilësore për konsumatorët tanë, kudo ku operojmë dhe për këtë sigurojmë qytetarët që asnjë shishe e ujit nuk hidhet në treg pa i kaluar të gjitha testimet laboratorike.
Ftojmë të gjitha mediet të bazohen në të dhënat dhe analizat e plota shkencore dhe të shmangin keqinformimin.