Zëdhënësi i Policisë në rajonin e Gjilanit ka bërë të ditur për Tëvë1 se trupi i pajetë i një personi të zhdukur është gjetur sot, pas një kërkimi të intensifikuar. Personi ishte shpallur i zhdukur gjatë ditës së djeshme, më 27 Nëntor 2025.
“Sot, më datë 28.11.2025, rreth orës 12:45, gjatë vazhdimit të kërkimeve intensive, ekipet e specializuara të zhytësve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë arritur të gjejnë në pendën e fshatit Livoq trupin e pajetë të personit të raportuar si i zhdukur më datën 27.11.2025,” ka njoftuar zëdhënësi i policisë, Valon Osmani.
Ai ka shtuar se, në vendin e ngjarjes, ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e personit.
“Vdekjen e të ndjerit në vendin e ngjarjes e ka konstatuar ekipi mjekësor. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion,” ka thënë Osmani.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat që kanë çuar në vdekjen e personit dhe është duke pritur rezultatet e obduksionit për të përcaktuar shkakun e vdekjes.







