Pasi u intervistua si dëshmitar për Masakrën e Reçakut, Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, do të mbajë konferencë të jashtëzakonshme për media.
Konferenca do të mbahet në orën 16:00, në objektin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe vjen pasi u ftua si dëshmitar për Masakrën e Reçakut.
“Ju njoftojmë se sot, 19 nëntor 2025, duke filluar nga ora 16:00, Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi do të mbajë konferencë të jashtëzakonshme për media. Konferenca do të mbahet në objektin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Rr. Luan Haradinaj, Prishtinë, salla në katin e III-të”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Se Kelmendi është ftuar për intervistim në cilësinë e dëshmitarit për Masakrën e Reçakut, e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokuroria Speciale, Arbnora Luta.
“Prokuroria Speciale mund t’ju konfirmojë se Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z.Besim Kelmendi, është ftuar për intervistim në cilësinë e dëshmitarit, në kuadër të procesit hetimor lidhur me rastin për të cilin keni parashtruar pyetje“, ka thënë Luta për Reporteri.net.
Ajo ka deklaruar se Prokuroria Speciale shpreh vlerësimin për “gatishmërinë dhe kontributin që z.Kelmendi ka dhënë lidhur me zbardhjen e një çështjeje penale, që Prokuroria Speciale e ka në trajtim”.
Një medium kosovar, të mërkurën, raportoi se njeriu i cili nga prilli i vitit 2022 mban pozitën e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, nga Prokuroria Speciale po konsiderohet si person me njohuri për rastin për shkak se në kohën e masakrës, në vitin 1999, punonte në pozitën e bashkëpunëtorit profesional pranë Gjykatës së Qarkut në Prishtinë.







