Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, mori pjesë të mërkurën në mënyrë virtuale në një takim me liderë nga SHBA-ja, Arabia Saudite dhe Siria, raporton Anadolu.
Në takim morën pjesë presidenti amerikan Donald Trump, princi i kurorës saudite Mohammed bin Salman dhe presidenti sirian Ahmad al-Sharaa, ndërsa Erdogan u bashkua virtualisht nga Turqia.
Gjatë takimit, Erdogan shprehu dëshirën e Ankarasë që Siria të jetë një shtet i qëndrueshëm dhe i begatë, që bashkëpunon me fqinjët rajonalë dhe nuk përbën kërcënim për ta, duke theksuar përpjekjet e vazhdueshme të Turqisë për ta arritur këtë qëllim.
Erdogan gjithashtu riafirmoi mbështetjen e Turqisë për luftën e Damaskut kundër grupeve terroriste, veçanërisht ISIS-it (Daesh). Ai shtoi se Turqia është e gatshme të ndihmojë në menaxhimin dhe sigurimin e burgjeve ku mbahen terroristët e ISIS-it.
Lidhur me vendimin e Trumpit këtë javë për të hequr sanksionet ndaj Sirisë, Erdogan e cilësoi këtë hap si me rëndësi historike, duke thënë se mund të shërbejë si shembull për vendet e tjera që ende kanë sanksione – mbetje të epokës së Assadit – dhe se kjo mund të hapë rrugën për mundësi investimi në sektorë të ndryshëm në Siri.
Duke dënuar krizën humanitare që po përkeqësohet në Gaza, Erdogan theksoi përpjekjet e pandërprera të Turqisë për ta thyer ciklin e dhunës, duke shtuar se ka ardhur koha për t’i dhënë fund vuajtjeve në enklavën palestineze.
Sa i përket luftës Rusi – Ukrainë, Erdogan bëri thirrje për fillimin e menjëhershëm të një armëpushimi dhe negociatave për paqe si në nivelin udhëheqësor, ashtu edhe në atë teknik, duke ritheksuar përkushtimin e Ankarasë për të bërë gjithçka të mundur në mbështetje të përpjekjeve për paqe, përpara takimit të planifikuar të enjten në Stamboll mes dy vendeve.