Presidenti amerikan Donald Trump tha gjatë një fjalimi maratonik në Kongres se Amerika do ta kthejë Kanalin e Panamasë, do të pushtojë Grenlandën dhe do të vendosë një flamur në Mars.
Trump premtoi se ShBA-ja do ta rimarrë Kanalin e Panamasë.
“Administrata ime do ta rimarrë Kanalin e Panamasë dhe ne veçse kemi filluar të punojmë për këtë. Vetëm sot, një kompani e madhe amerikane njoftoi se po blen të dy portet përreth Kanalit të Panamasë.”
Nëse kjo shitje do të miratohet, mbetet për t’u parë.
Presidenti panamez Jose Raul Mulino ka thënë vazhdimisht se kanali nuk është në shitje.
“Kanali është dhe do të mbetet panamez dhe administrata e tij do të mbetet nën kontrollin panamez për sa i përket neutralitetit të përhershëm”, tha Mulino në janar të këtij viti.
Trump përmendi edhe Grenlandën.
“Unë kam gjithashtu një mesazh sonte për njerëzit e mrekullueshëm të Grenlandës: Ne mbështesim fuqimisht të drejtën tuaj për të përcaktuar të ardhmen tuaj. Dhe nëse zgjidhni, ne ju mirëpresim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Trump.
Trump says we will be getting Greenland “one way or another” pic.twitter.com/svJJC0JtCx
— Acyn (@Acyn) March 5, 2025
Ai tha se Amerika ka nevojë për Grenlandën “për sigurinë kombëtare dhe sigurinë ndërkombëtare”.
“Mendoj se do ta arrijmë. Në një mënyrë apo tjetër, do ta arrijmë”, tha Trump.
Trump foli edhe për dëshirën e tij për të nisur një “epokë të artë” të re dhe për të “vendosur flamurin amerikan në Mars”.